Loading....

𝐍𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐢𝐦 𝐭𝐞̈ 𝐉𝐨𝐚𝐧 𝐏𝐚𝐥𝐞𝐨𝐤𝐫𝐚𝐬𝐚𝐬.


Joan Paleokrasas ishte njeri me cilësi të rralla, autentik, i vërtetë, me një thjeshtësi dhe mirësi të natyrshme. Ishte njeri me integritet, i drejtë, familjar shembullor. Me gruan e tij të zgjedhur, Natalinë, krijuan një familje të bukur.

Joan Paleokrasas ishte njeri shumë krijues. Në të gjitha detyrat e tij, shpesh nga më të lartat, në Greqi ose jashtë saj, u shqua për përgjegjshmërinë, origjinalitetin, mendimin krijues, korrektesën dhe pasjen e rezultateve. Veprimtaria e tij politike dhe ekonomike është nxjerrë në pah nga shumë personalitete politike dhe sociale të këtyre fushave.

Dua të flas për diçka që është më pak e njohur. Ai ka qenë një bashkëpunëtor shumë i vyer në mjaft përpjekje të reja shpirtërore, nga mosha jonë e rinisë deri në vitet e fundit: që nga botimi në anglisht i revistës së parë orthodhokse për hierapostullimin jashtë kufijve të vendit “Porefthendes” 1959, deri në dhjetëvjeçarët e fundit në administrimin e Kolegjit Universitar “Logos” dhe të veprës hidroenergjitike të Kishës së Shqipërisë.

Miku vëllazëror Joani dallohej për gjerësinë e jashtëzakonshme të mendimeve të tij, të interesave dhe të horizontit të tij. Ishte njeri i mbarëbotshëm. Punoi në shumë vende të ndryshme (Angli, SHBA, Gana, Greqi, Belgjikë), në pozita nga më lartat, duke e përfaqësuar Greqinë në mënyrë të shkëlqyer dhe duke ofruar përvojën e tij të rrallë dhe gjykimin e tij që shikonte përtej dukjes së jashtme.
Nuk duhet shumë përpjekje që dikush të konstatojë se burimi i fuqisë dhe frytshmëria e jetës së tij ka qenë besimi orthodhoks.

Studoi, meditoi, përjetoi misterin e zbulesës së krishterë të përmbledhur në vargun: “Perëndia është dashuri, dhe ai që qëndron në dashuri, qëndron në Perëndinë, dhe Perëndia në atë” (1Jn. 4:16). Edhe ai vetë u përpoq “të qëndronte” vazhdimisht “në Krishtin Jisu” me mendësi kryqngjallësore.

Duke shprehur ngushëllimet nga thellësia e zemrës për familjen e tij të shtrenjtë dhe duke marrë pjesë në dhimbje, urojmë përulësisht që Perëndia ta prehë “në tendat e të drejtëve”. Njëkohësisht, lavdërojmë Perëndinë për dhuratën e madhe që na fali këtë njeri të vërtetë të Perëndisë së dashurisë në shërbim të shoqërisë dhe nevojave të shumëllojta të anëtarëve të saj.
I përjetshëm kujtimi!

Athinë, 5 tetor 2021