Loading....

FJALA E PRESIDENTIT TË FONDACIONIT "LOGOS", PROF. DR. ANASTASIT, MBAJTUR GJATË CEREMONISË SË DIPLOMIMIT TË STUDENTËVE TË KOLEGJIT UNIVERSITAR "LOGOS" 2023


Lavdi Zotit!
Dy fjalët që dominojnë në këtë takim kaq të gëzueshëm janë përgëzimi dhe falënderimi.
Dua dhe unë, para së gjithash, të falënderoj përzemërsisht për referencat dashamirëse ndaj personit tim modest dhe të pajtohem plotësisht me ato që u thanë më parë.
Përgëzime të ngrohta për të gjithë profesorët e jashtëzakonshëm dhe të gjithë personelin e Kolegjit Universitar “LOGOS”.
Përgëzime të ngrohta për prindërit e jashtëzakonshëm të cilët kanë rritur dhe na kanë sjellë këta fëmijë të veçantë.
Përgëzime për të gjithë studentët dhe studentet që marrin pjesë me kaq gjallëri jo vetëm në studimet e tyre por edhe në të gjitha veprimtaritë që ne kemi.
Fort të dashur z.Rektor, z.Administrator, të dashur prindër, shumë të dashur studentë dhe studente.

Më parë u dëgjuan urime shumë të rëndësishme. Besoj se fjala e përsëritur më shpesh ishte suksesi. Unë do të doja të thoja edhe disa fjalë të tjera të cilat kanë lidhje dhe janë çelësi për suksesin.

E para është ndjenja e të pasurit përgjegjësi. Do të doja të thoja mos u pajtoni bijtë e mi me dekadencën. Shpesh herë dëgjoni shprehjen se këtu kështu bëhet. Është gabim të imitojmë atë se çfarë bëhet. Çështja është se çfarë duhet të bëhet. Thuhet se këtu ka shumë padrejtësi, shumë korrupsion, shumë zhgënjim. Përgjegjësia jonë është ti bëjmë rezistencë dekadencës. Vini re! Asnjë nga ne nuk zbriti në tokë nëpërmjet një helikopteri, por erdhëm brenda një familjeje dashurie, u rritëm në një vend që ka shumë vështirësi, por është një nga vendet më të bukura dhe të dashura të planetit Tokë dhe besoj se zëmë edhe ndër vendet e para në këtë kuadër nga pikëpamja e klimës, bukurisë dhe historisë. Çështja pra nuk është nëse nuk bëhet diçka mirë, çështja është se çfarë duhet bërë. Dhe të dashur bijtë e mi, ju keni një përgjegjësi të madhe për këtë. Mos thoni që ju intereson vetëm vetja juaj. Vazhdoni përpjekjet dhe studimet tuaja. Merrni më të mirën që mund t’ju ofrojë shoqëria bashkëkohore, por mos harroni familjen tuaj dhe vendin tonë të vuajtur.

Fjala e dytë që doja të them sot është cilësia. Kur ju them që nuk duhet të pajtoheni me dekadencën, shtoj se duhet të bëjmë një rezistencë cilësore. Çdo gjë të mirë që mund të bëjmë në jetën tonë, çdo gjë të mirë që mund të ofrojmë ne. Ju e dini shumë mirë që nuk përfundon gjithçka duke u futur në mjediset universitare dhe nëqoftëse ju nuk përpiqeni për të nxënë dhe përvetësuar njohuritë, ato nuk vijnë vetvetiu. Kur më vonë do të zini pozicione të përgjegjshme kujdesuni të ofroni cilësi, saktësi dhe ndershmëri. Kjo bën diferencën. Sigurisht njerëz të zgjuar ekzistojnë shumë, kurse njerëzit inteligjentë, të pjekur dhe të përgjegjshëm nuk i kemi dhe aq të shumtë. Ky vendi ynë i përvuajtur ka nevojë për njerëz cilësorë, në të gjitha nivelet. Nuk kemi asgjë për të pasur zili nga popujt e tjerë. Mjafton që ne të shfrytëzojmë talentet që Perëndia na dhuroi.

Dua të përfundoj edhe me një fjalë tjetër që është kyçe. Besoj se e keni dëgjuar shpesh dhe kam frikë se jeni familjarizuar me të. E megjithatë ajo mbetet fjala kyçe për të gjitha sukseset dhe bekimet e Perëndisë. Dhe kjo fjalë është dashuria.

Besoj se e dini dhe keni dëgjuar shpesh herë që edhe unë për shumë vite kam qenë profesor në Universitetin e Athinës dhe në vende të tjera me prezencë akademike. Por objekti im i studimit ka qenë gjithmonë historia e feve dhe me këtë rast pata mundësi që jo vetëm të kryeja studime në Greqi dhe në Gjermani por gjithashtu të udhëtoja në të gjithë botën për të parë nga afër qytetërime të ndryshme. Gjithashtu kam marrë pjesë edhe në organizma botërorë. Por nëqoftëse ju do më pyesnit tani, në fundin e jetës sime, sepse unë jam i madh tashmë, jam mbi 93 vjeç, do t’ju thoja se shprehja më bashkëkohore, më revolucionare, më dinamike, është ajo që shkruan mbi atë se çfarë është realiteti më i lartë ungjillori Joan: “Perëndia është Dashuri dhe kush qëndron në Dashuri, qëndron në Perëndinë dhe Perëndia qëndron në të”. Ky realitet i lartë nuk është një fuqi e pacaktuar, është një person dhe ky person nuk është thjesht një prezencë e largët në një botë të largët qiellore, por jep mundësinë që të kemi një marrëdhënie me të. Kush qëndron në Dashuri, qëndron në Perëndinë dhe Perëndia qëndron në të. Dhe pikërisht kjo është mundësia për të qenë njerëz të dashurisë. Për disa njerëz kjo mund të dëgjohet diçka si shumë fetare, por unë besoj që ky është mesazhi më dinamik dhe më bashkëkohor e i vazhdueshëm. Gjëja më e bukur në jetë është të mësosh të duash. Shumë gjëra me inteligjencën artificiale do të bëhen. Por ajo që e bën njeriun të jetë human është mundësia për të dashur, kompjuterat nuk mund të duhen.

Unë dua dhe nga ana ime t'ju uroj të gjithëve pikërisht që të keni suksese në jetën tuaj. Kujdesuni që të jeni njerëz kryesisht të dashurisë dhe njëherazi njerëz të përgjegjshmërisë dhe të cilësisë dhe nga kjo nuk keni për tu zhgënjyer kurrë. Çfarëdo lloj gjëje që t’ju duket e vështirë dhe e pamundur, mos harroni që fjalën e fundit në histori e ka Perëndia i dashurisë. Uroj që kjo të jetë dhe vula e pranisë tuaj në jetë.

Faleminderit shumë!