Vizioni
Departamenti i Menaxhimit synon të jetë një qendër akademike ekselence në fushën e menaxhimit të turizmit dhe biznesit, me kurrikula inovative për të garantuar një edukim sa më cilësor sipas programeve dhe cikleve të studimit mbështetur në procesin e Bolonjës, i pranuar nga publiku i gjerë, kandidatët për student në programet e ofruara, nga punëdhënësit të cilët vlerësojnë cilësinë e studentëve, kontributin intelektual të profesorëve të departamentit për aftësitë dhe njohuritë që të diplomuarit nga ky departament kanë.
Misioni
Ne i mësojmë studentët tanë që të zotërojnë disiplinat thelbësore të fushave dhe të përgatiten për mjedisin dinamik e global të industrisë së turizmit dhe të biznesit në tërësi, me një edukim me themel në fushën e menaxhimit.
Programet tona
Si një nga departamentet e fakultetit ekonomik, programet tona i përgatisin studentët të mendojnë për biznesin dhe turizmin në dimensione të shumta, duke dhënë njohuri thelbësore në etikë, histori biznesi, teknologji, kulturë, inovacion, ekologji dhe politikë, të cilat influencojnë biznesin dhe janë formësuar prej tij. Kurrikulat tona kanë një spektër prej gjashtë dimensionesh kontekstuale (si më poshtë).
Kurrikulat tona sjellin një këndvështrim ndërdisiplinor, duke përgatitur menaxherët e turizmit dhe të biznesit edhe me njohuri të thella të fushës së financës dhe të kontabilitetit, programet tona nuk përgatisin vetëm menaxherë të cilët janë të aftë të punojnë vetëm në fushën në të cilën ata janë diplomuar por ata janë të aftë të përballojnë me sukses punën në fushën e marketingut, kontabilitetit e financave.
Menaxhimi, sjellja Organizative, operacionale, lidershipi dhe etika në menaxhimin e biznesit dhe turizmit
Modulet e menaxhimit, sjelljes organizative, operacionale, lidershipit dhe etikës në menaxhimin e biznesit dhe turizmit, plotësojnë këto dimensione në mënyrë integrale, ato ofrojnë mundësi për studentët që të arrijnë të kenë një kuptim tërësor menaxhues të fushës dhe/ose të njihen me themelet e menaxhimit të biznesit në kontekstin e zhvillimit strategjik të fushës në një botë globale gjithashtu të fitojnë njohuritë e aftësitë e duhura të cilat lidhen me vendimmarrjen organizative.
Teknologjia e informacionit, inovacioni, komunikimi, statistika, burimet njerëzore dhe operacionet
Modulet e teknologjisë së informacionit, inovacionit, komunikimit, statistikës, burimeve njerëzore dhe të operacioneve, plotësojnë një dimension tjetër në formimin e studentit. Ato ofrojnë mundësi për ta që gjatë jetës së tyre profesionale të angazhohen dhe të përdorin teknologjitë e informacionit, të kryejnë kërkime e analiza statistikore, të ekzaminojnë rolin që luan komunikimi, teknologjitë inovative dhe/ose risitë në formimin e organizatave, të sillen në mënyrë fleksibel me zhvillimet e botës së biznesit, të jenë të aftë për hartimin e produktit dhe konsumin, komunikimin me klientët/punonjësit, zinxhirët e furnizimit, marrëdhëniet e punës, etj.
Ndërgjegjësimi kulturor dhe global në menaxhimin e biznesit dhe turizmit
Modulet e lidhura me turizmin kulturor dhe sfidat që ka përpara biznesi lidhur me ruajtjen dhe promovimin e vlerave turistike e kulturale, në nevojën e një ndërgjegjësimi global, plotësojnë këtë dimension të domosdoshëm të një menaxheri duke ju ofruar një mundësi shtesë për të kuptuar se si dimensionet kulturore të menaxherëve në organizata ndikojnë në zhvillimin dhe menaxhimin me sukses jo vetëm në organizatën ku ata do të punojnë por edhe kontekstin global-kulturor të biznesit dhe industrisë së turizmit.
Kreativiteti dhe arti i menaxhimit e sipërmarrjes në biznes
Modulet e sipërmarrjes, marketingut, sjelljes konsumatore, projekteve nxisin dimensionin kreativ të artit të të menaxhuarit. Ato ofrojnë mundësinë e krijimit të aftësive vlerësuese në qëndrueshmërinë e alternativës menaxhuese të adaptuar nga biznesi, organizata, industria e turizmit apo sipërmarrja e re, njëkohësisht ato ndihmojnë studentët që të kuptojnë dimensionin tregtar të shërbimeve, prodhimit dhe shpërndarjes.
Mjedisi natyror dhe qëndrueshmëria në turizëm dhe menaxhimin e biznesit
Modulet e gjeografisë turistike dhe strategjive të zhvillimit në turizëm e biznes, ofrojnë një tjetër këndvështrim për studentët në lidhje me mjedisin natyror dhe qëndrueshmërinë e zhvillimit të tyre, duke plotësuar edhe këtë dimension të domosdoshëm. Ato ofrojnë gjithashtu një mundësi për studentët që të mësojnë për lidhjet e ngushta ndërmjet organizatave të biznesit, industrisë së turizmit dhe mjedisit natyror, ndërsa nënvizojnë çështje të qëndrueshmërisë së zhvillimit të tyre.
Qeveria, politikat, financat, kontabiliteti e drejta e biznesit në turizëm dhe menaxhimin e biznesit
Modulet e ekonomiksit, financës, kontabilitetit dhe të drejtës së biznesit, plotësojnë dimensionin ndërdisiplinar duke ju ofruar një mundësi tjetër studentëve të fushës së menaxhimit të pajisen me një kuptim të thelluar të marrëdhënies komplekse midis bizneseve, organizatave, qeverive kombëtare dhe institucioneve globale (p.sh., ndikimi i kornizave rregullatore dhe politikave publike e financiare), por edhe me aftësi të thelluara në fushën e financës dhe kontabilitetit duke e bërë shumë të lehtë për ta adoptimin për të punuar në sektorë të tjerë të ekonomisë.