1st International Conference “Current Developments and New Perspectives in Applied Sciences and Economy”(17.03.2017)
Në 17 Mars 2017 u zhvillua Konferenca Ndërkombëtare “Zhvillimet Aktuale dhe Perspektivat e Reja në Shkencat e Aplikuara dhe Ekonomi” e organizuar nga Kolegji Universitar “Logos” në bashkëpunim me Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Universitetin e Mjekësisë – Tiranë, Universitetin e Pireut – Greqi, Universitetin Bujqësor të Tiranës, Universitetin e Kalabrisë – Itali, si dhe me Shoqatën e Biokimisë Klinike dhe Mjekësisë Laboratorike Shqipëtare e Shoqatën Amerikane për Patologjitë Klinike në Evropë – Greqi.
Konferenca u hap me seancën plenare në të cilën ishin prezentë dhe mbajtën fjalën e tyre autoritetet më të larta të institucioneve pjesëmarrëse, si: Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastas Yannoulatos – President i Fondacionit “Logos”, Prof. Dr. Xhezair Teliti – Rektor i Kolegjit Universitar “Logos”, Prof. Bruno Giardina – Rektor i Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Prof. Dr. Anyla Bulo – kryetare e Shoqatës së Biokimisë Klinike dhe Mjekësisë Laboratorike Shqiptare. Gjithashtu prezentë ishin edhe stafi akademik e studentët e Kolegjit Universitar “Logos” dhe përkatësisht të universiteteve bashkëpunëtore, personalitete e profesorë të nderuar që kanë dhënë ndër vite kontributin e tyre të çmuar në Kolegjin Universitar “Logos”, specialist të fushave e të ftuar të tjerë.
Konferenca u zhvillua në dy sesione paralele në të cilat u prezantuan gjithsej 25 prezantime orale: Sesioni i Mjekësisë “E tashmja dhe e Ardhmja e Mjekësisë Laboratorike” dhe sesioni i Ekonomisë “Mendimi Shkencor në Zhvillimin Ekonomik dhe Sfidat e së Ardhmes”.
Një vlerë e shtuar për konferencën ishin referimet e mbajtura nga profesorë të nderuar jashtë kufijve të Shqipërisë, si: Prof. Ettore Capoluongo, Prof. Andrea Urbani, Prof. Carlo de Giuli Morghen, Prof. Rubino Franco Ernesto, Prof. Asc. Filotheos Ntalianis, Prof. Asc. Jostina Dhimitri, Dionysis Vourtsis, Pietro Iaquinta, Miracco Rosetta, Tonia Tassone, Eleni Didaskalou, Francesco Favia, Antonella Biscione, Thais Garcia – Pereiro, të cilët janë personalitete të fushave përkatëse të Mjekësisë e të Ekonomisë. Konferenca e cila gjithashtu kishte edhe 37 prezantime me poster, shënoi një ngjarje të veçantë jo vetëm për dimensionin shkencor që karakterizon një konferencë ndërkombëtare, por edhe për mundësinë e futjes së kërkimit shkencor në mënyrë cilëre tek personeli akademik aktual të Kolegjit Universitar “Logos”. Kjo konference ishte një ngjarje e veçantë edhe për studentët e universitetit tonë që do të jenë kërkuesit shkencorë e së ardhmes.
Qëllimi i kësaj konference nuk ishte vetëm për të mundësuar prezantimin e rezultateve të reja të hulumtimit, por edhe për të shkëmbyer mendime, këndvështrime e ide të reja kërkimore shkencore mes kapaciteteve të njohura në fushën e mjekësisë dhe ekonomisë.
Organizimi i përbashkët i kësaj konference ndërmjet Institucioneve Universitare të lartpërmendura, shërben si një fillim i mbarë i një procesi bashkëpunimi në kuadër të përmirësimit të procesit mësimor dhe të kërkimit shkencor, kaq shumë të rëndësishme për shoqërinë tonë e për të ardhmen e vendit.