3rd International Conference in Human, Social and Applied Sciences(12.04.2019)
Në vijim të bashkëpunimit të suksesshëm në Konferencën e II –të Ndërkombëtare në Shkencat e Aplikuara dhe Ekonomi, Kolegji Universitar “Logos” organizoi në 11 Prill 2019, Konferencën e III- të Ndërkombëtare në Shkencat Humane, Sociale dhe Shkencat e Aplikuara, në bashkëpunim me Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Universitetin e Pireut - Greqi, Universitetin e Mjekësisë - Tiranë, Universitetin Bujqësor të Tiranës, Universitetin “Sancti Cyrilli” – Maltë.
Konferenca e zhvilluar në Qendrën Kulturore të Katedrales Orthodhokse, u hap me seancën plenare në të cilën mbajtën fjalën e tyre personalitete nga institucionet pjesëmarrëse si: Prof. Dr. Nikoleta Mita - Rektor i Kolegjit Universitar “Logos”, Prof. Bruno Giardina – Rektor i Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Prof. Assoc. Filotheos Ntailanis – Universiteti i Pireut, Greqi, Prof. Dr. Ferdinand Gjana - Rektor i Kolegjit Universitar “Bedër”.
Konferenca u ndoq nga stafi akademik e studentët e Kolegjit Universitar “Logos” dhe përkatësisht të universiteteve bashkëpunuese, personalitete e profesorë të nderuar që kanë dhënë ndër vite kontributin e tyre të çmuar në Kolegjin Universitar “Logos”, specialistë të fushave e të ftuar të tjerë.Konferenca u zhvillua në tre sesione paralele: Sesioni i Mjekësisë, Sesioni i Ekonomisë dhe i Teknologjisë së Informacionit dhe Sesioni i Shkencave Humane, në të cilat u prezantuan gjithsej 51 punime shkencore.
Qëllimi i kësaj konference nuk ishte vetëm për të mundësuar prezantimin e rezultateve të reja të hulumtimit, por edhe për të shkëmbyer mendime, këndvështrime e ide të reja kërkimore shkencore mes kapaciteteve të njohura në fushën e mjekësisë, ekonomisë, teknologjisë së informacionit, teologjisë, edukimit e psikologjisë.
Organizimi i përbashkët i kësaj konference ndërmjet Institucioneve Universitare të lartpërmendura shënon një ngjarje të veçantë jo vetëm për dimensionin shkencor që karakterizon një konferencë ndërkombëtare, por është dhe një kontribut i vlefshëm në kuadër të përmirësimit të proçesit mësimor dhe të kërkimit shkencor, kaq shumë të rëndësishme për shoqërinë tonë e për të ardhmen e vendit.