2nd International Conference on Applied Sciences and Economy (20.04.2018)
Në vijim të bashkëpunimit të suksesshëm në Konferencën e I –rë Ndërkombëtare “Zhvillimet Aktuale dhe Perspektivat e Reja në Shkencat e Aplikuara dhe Ekonomi”, Kolegji Universitar “Logos” organizoi në 20 Prill 2018, Konferencën e II- të Ndërkombëtare në Shkencat e Aplikuara dhe Ekonomi, në bashkëpunim me Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Universitetin e Mjekësisë - Tiranë, Universitetin e Pireut - Greqi, Universitetin Bujqësor të Tiranës, Universitetin “Sancti Cyrilli” – Maltë.
Konferenca e zhvilluar në Qendrën Kulturore të Katedrales Orthodhokse, u hap me seancën plenare në të cilën mbajtën fjalën e tyre personalitete nga institucionet pjesëmarrëse si: Prof. Xhezair Teliti - Rektor i Kolegjit Universitar “Logos”, Prof. Tritan Shehu – Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Prof. Athanasios Tsakris – Universiteti i Athinës, Prof. Assoc. Filotheos Ntailanis – Universiteti i Pireut, Greqi. Konferenca u ndoq nga stafi akademik e studentët e Kolegjit Universitar “Logos” dhe përkatësisht të universiteteve bashkëpunëtore, personalitete e profesorë të nderuar që kanë dhënë ndër vite kontributin e tyre të çmuar në Kolegjin Universitar “Logos”, specialist të fushave e të ftuar të tjerë.
Konferenca u zhvillua në dy sesione paralele: Sesioni i Mjekësisë dhe sesioni i Ekonomisë e Informatikës në të cilat u prezantuan gjithsej 37 prezantime orale dhe 38 prezantime me poster.
Qëllimi i kësaj konference nuk ishte vetëm për të mundësuar prezantimin e rezultateve të reja të hulumtimit, por edhe për të shkëmbyer mendime, këndvështrime e ide të reja kërkimore shkencore mes kapaciteteve të njohura në fushën e mjekësisë, ekonomisë dhe informatikës.
Organizimi i përbashkët i kësaj konference ndërmjet Institucioneve Universitare të lartpërmendura shënon një ngjarje të veçantë jo vetëm për dimensionin shkencor që karakterizon një konferencë ndërkombëtare, por është dhe një kontribut i vlefshëm në kuadër të përmirësimit të procesit mësimor dhe të kërkimit shkencor, kaq shumë të rëndësishme për shoqërinë tonë e për të ardhmen e vendit.